Ulqini është një vend i vogël bregdetar shqiptar i cili ndodhet në Malin e Zi. Përveç historisë së vet të bujshme mbi 2500 vjeçare, nga ky qytet dolën njerëz shumë të famshëm në fusha të ndryshme. Ulqini u përfshi në ngjarje dhe situata historike shumë të rëndësishme kombëtare që nga Lufta e parë Iliro-romake, Beteja e Lepantit e deri te Kongresi i Berlinit ku me vendim të Fuqive të mëdha i takoi Malit të Zi.

Shkrimet e para për Ulqinin janë ato të Plini Plakut (23-79 e.re) që këtë vend e identifikojnë si qytet nga viti 250 p.e.re. Nëpër Ulqin kalojnë dy kalorës irlandez Hugo Iluminatori dhe Simon Simeoni në vitin 1321 dhe në relacionet e tyre që më vonë botohen nën titullin  Itinerarium Symonis Semeonis Ab Hybernia Ad Terram Sanctam. Scriptores Latini Hiberniae, Volume IV., përveç tjerave tregojnë se rruga për në Jerusalem i ka çuar nëpër Ulqin dhe ne mendojmëse ky duhet të jetë shkrimi mesjetar më i vjetër për Ulqinin. Nga Kepi i Rodonit shihet Kalaja e Ulqinit dhe lidhjet e Skënderbeut me qytetin e Ulqinit ishin të shumta madje disa historianë thonë se Skënderbeu zgjodhi Ulqinin si vendin ku do të kalonte ditët e para të martesës me Donikën?! Pason Arnold vonHarff-i më 1466-1469 ku fjalorin e vet me fjalë shqipe i mbledh mu në Ulqin. Më 1666 në Ulqin internohet Sabataj Zevi, i vetëshpalluri Mesi dhe reformatori i librit të shenjt të hebrejve, Talmud, ku edhe ndodhet tyrbja e tij. Të zënë rob nga detarët ulqinakë hasim edhe Servantesin dhe mjekun i njohur franqez Fransua Pukëvili etj.

Vula në brendinë e violinës me emrin e Markut

Ulqini nga gjiri i vet ka nxjerrë edhe personalitete të shquara si historike ashtu edhe shkencore e humanitare. Një nga të shumtit është edhe violinë-ndërtuesi me famë botërore, Mark Dobreci (Marko Dobretsovich 1891-1957) i lindur në fshatin Braticë, Ulqin më 1891.

Pjetër Lekë Dobreci kishte tre fëmijë: Zefin, Markun dhe Dilen. Kjo familje pesë anëtarëshe jetonte në kushte të rënda dhe puna të cilën bënin u mundësonte të zhvillonin jetë modeste. Zefi, vëllau i madh i Markut, punonte me dru dhe konkretisht ishte ndërtues i kundakëve të pushkës[1]. Kjo lloj veprimtarie nuk ishte edhe aq profitabile ndërsa kërkonte angazhim dhe përkujdesje maksimale që nga zgjedhja e drurit e deri te puna me te. Marku i ndihmonte vëllaut dhe kjo punë do të jetë njohja e parë e Markut me teknikën e punimit të drurit. Në vitin 1914[2] për shkaqe të paqarta Marku merr vendim dhe në moshën 23 vjeçare zhvendoset në Aleksandri (Egjipt) prej nga kurrë më nuk do të kthehet në Ulqin. Mund vetëm të hamendësojmë se çka e shtyri atë të zgjedhë Aleksandrinë si vendbanim të përhershëm ndoshta ishte lidhja e fortë e detarëve ulqinakë të cilët lundronin rregullisht nëpër portet mesdhetare si Aleksandria, Tripoli (Tarabulluzi[3])etj., apo ndoshta favorizimi i shqiptarëve nga Mbreti i Egjiptit (Misiri) i cili ishte me prejardhje shqiptare, Mbreti Fuad I (1868-1936)  më parë i njohur si Ahmed Fuad Pasha[4]. Kjo mbetet e pasqaruar por një gjë është evidente se ai atje krijoi famë me punën që bëri dhe se rezultatet e punës së tij ende janë të pranishme.

OPTPiX Image

Viti 1920 Mark Dobrecin e gjen në Bolonja të Italisë si nxënës në punëtorinë e njërit nga mjeshtrit më të mëdhenj italian të violinave Augusto Pollastri (1877-1927) mjeshtër i cili zanatin e ndërtimit të vilonave e kishte marrë nga mjeshtri i madh italian Raffaele Fiorini[5]. Ndikimi i mjeshtrit Augusto ishte shumë i madhë mirëpo edhe shkathtësia e Markut që këshillat e mjeshtrit t’i zbatonte me përpikëri bëri që gjatë punës së tij në Kajro dhe Aleksandri të mos ketë konkurencë në këtë fushë. Gjokë Stanoviqi (1925) kur ishte pesë vjeç (1932) kishte shkuar me babanë, nënën dhe motrën e vet për të jetuar në Aleksandri. Atij i kujtohet, që si fëmijë, kur prindërit e tij për pushime erdhen në Ulqin më 1935-36, ai me dy motrat e tija ndenjën në shtëpinë e Markut për më shumë se dy javë dhe i kujtohet se maestroja përveç se i ndërtonte prej fillimit kishte shumë të interesuar që vinin të riparonin violina dhe se gjithashtu vëmendjen e Gjokës, atëherë 10-11 vjeç, ia kishin tërhjekur edhe dy diploma të varura në murë të puntorisë së mjeshtirt Mark, e që mesiguri ishin certifikata për punën që kryente. Gruaja e maestro Markut ishte italiane dhe njëherit kumbara e motrës së Gjokës – Rozës.[6] Atij i kujtohet gjithashtu që maestroja pothuaj gjithë kohën e kalonte në punëtorinë e vet ku ndodheshin violina dhe copa dërrasash enkas të porositur për ndërtimin e violinave.

Puna që bënte maestro Dobreci ishte e pakrahasueshme dhe teknika e finesa që përdorte padyshim se lanë një gjurmë të pakrahasueshme në violinë-ndërtimtarinë e shekullit XX. Italianët e përvehtësuan maestro Dobrecin si të vetin dhe atë e gjejmë shpesh në publikime të ndryshme si mjeshtër italian i violinave.[7] Si ilustrim po sjellim një violinë të ndërtuar në vitin 1924 në Kajro e cila sot vlenë 49.500,00 Euro.

Maestro Dobreci dallohej përnga finesa dhe përsosmëria në punë. Kështu që modeli i violinës ishte i modelit Stradivari, me funde të lëmura deri në perfeksion i dekoruar me ornamente fundore që përdoreshin në instrumentet me tela. Druri që përdorte ishte shumë i bukur, fundi i violinës njëcope prej drurit të çinarit të tharë me zjarr dhe veçanërisht ndikimi i teknikës së maestro Augustit shfaqej në bishtin e violinës ku kokat e çelësave u gjason syrit.

Maestro Marku krijoi familje në Egjipt, siç u tha më lartë gruan e kishte italiane dhe me te kishte dy fëmijë djalin Pjetrin dhe vajzën Silvana[8].Pas vdekjes së Markut familja shpërndahet, gruan e Markut e merr vëllau i vet në itali ndërsa fëmijët shkojnë të jetojnë në Sao Paolo të Brazilit. Siç tregon Gjokë Stanoviqi nga Ulqini deri vonë ka mbajtur korrespodencë me djalin e Markut, Pjetrin. Për të cilin thotë se ishte gjetur mjaftë mirë në Sao Paolo dhe se kishte krijuar familje atje. Kjo korrespodencë ndërpritet me fillimin e krizës në ish Jugosllavi.

Maestro Mark Dobreci, ndërtoi violina të cilat sot janë shumë të çmuara dhe se emri i tij gjendet në katalogjet më prestigjoze të violinë-ndërtuesve më me famë botërore. Instrumentet në treg kanë çmime të larta dhe sillen nga 19.500,00 deri në 45.000,00 Euro. Për fat të keq këtë mjeshtri prej tij askush nuk e trashëgoi. As dajli i tij si pasardhës direkt e as ndonjë nxënës i tij. Fama e ulqinakut në Egjipt mbaron me te ndërsa violinat e tija ende prodhojnë tinguj mahnitës.

Propozoj që si kujtim për maestro Mark Pjetër Lekë Dobrecin nga Ulqini, violinë-ndërtuesin me famë botërore, të cilin e nderon bota mbarë si nderim dhe kujtim për te shkolla e muzikës në Ulqin të emërohet me emrin e tij. Mendoj se një personalitet i tillë e meriton.

 

Gazmend Çitaku

21.07.2016 ULQIN

 


[1] Tregoi Gjokë Stanoviq (91) lindur më 30 mars 1925 në Braticë. Biseden e zhvilloi Gazmend Çitaku më 17.07.2016 në Braticë

[2] https://www.bromptons.co/reference/articles/details/marcodobretsovitch.html

[3] Tarabulluz e quanin detarët ulqiakë Tripolin sipas emrin në origjinal Ṭarābulus al-Gharb

[4] Encyclopedia Britanica, https://www.britannica.com/biography/Fuad-I

[5] https://en.wikipedia.org/wiki/Augusto_Pollastri

[6] Tregoi Gjokë Stanoviq (91) lindur më 30 mars 1925 në Braticë. Biseden e zhvilloi Gazmend Çitaku më 17.07.2016 në Braticë

[7] Jost Thoene, “Italian & French ViolinMakers” Vol 3, 2003

[8] Tregoi Gjokë Stanoviq (91) lindur më 30 mars 1925 në Braticë. Biseden e zhvilloi Gazmend Çitaku më 17.07.2016 në Braticë