Mustafa Canka, Republika kusare e Ulqinit – një epope 200 vjeçare, UL-info, Ulqin 2024, fq.168

Mustafë Canka është një emër i njohur jo vetëm për publikun ulqinak dhe atë malazez por edhe për rajonin. Kemi të bëjmë me një njeri serioz i cili në jetën e përditëshme është gazetar, publicist, aktivist i shoqërisë civile. Mustafa ka lind në Ulqin, qytetin më të bukur të pjesës lindore të Adriatikut që sipas disa studiuesve këtu është hapur edhe shkolla e parë shqipe që në shekullin XIII (1258). Kurse shkollimin superior e mori në Raguzë (Dubrovnik) i cili poashtu është qendër e rëndësishme e kësaj pjese të Ilirikut e që Arkivi i Dubrovnikut daton nga i njejti shekull (1278).

Një intelektual i kalibrit të lartë siç është Mustafë Canka, s’ka dyshim se punën e vet e prezanton në dritën më të mirë dhe më serioze të mundshme. Ajo që më bën të krenohem në këtë moment është fakti se Ulqini po i kthehet detit me aqë sa po ka mundësi dhe sa po e lejon momenti historik. Pa shkëputje, që nga periudha ilire, ulqinakët ende janë duke lundruar nëpër të gjitha detet dhe oqeanet e rruzullit tokësor. Dikur me liburnat, barkat dhe velanijet e veta, kurse sot këta djem të ri ulqinakë, kapidana të familjeve detare Peku, Bilali, Tivari, Idrizaga, Karamanaga, Shabani etj., vazhdojnë të shkruajnë historinë detare të Ulqinit me anije tejoqeanike të kompanive të ndryshme botërore.

Në vazhdën e kontribuesve, t’i quajmë edhe këta detarë, duhet futur edhe autorët ulqinakë të fjalës së shkruar, të cilët përmes dëshmive arkivore, studimore, gojore e hulumtuese të traditës detare ulqinake na sjellin libra dhe botime nga lëmi të ndryshme duke e kthyer Ulqinin në pozitën e merituar historike dhe detare. Autorëve ulqinakë si: Hajro Ulqinaku, Bahri Brisku, Ruzhdi Ushaku, Maksut Haxhibrahimi, Sari Resulbegu, Ismet Karamanaga dhe Gazmend Çitaku që shkruajnë për lavdinë detare të ulqinakëve sot i bashkohet edhe Mustafa Canka me librin e tij më të ri “Republika kusare e Ulqinit”.

Që nga titulli kuptojmë se kemi të bëjmë me një tematikë sa deficitare aqë edhe të diskutueshme sepse shumë vetë nuk dijnë të bëjnë dallimin mes veprimtarive detare siç janë kusaria dhe piratëria. Deri sa veprimtaria e dytë ishte thjeshtë plaçkitëse veprimtaria e parë ishte e stimuluar nga shteti apo administrata vendore të cilës duhej paguar taksat për veprimtarinë e zhvilluar tregtaro-kusare.

Autori i librit me shumë elegancë arrinë ta shpjegojë këtë lloj veprimtarie dhe me argumente të forta historike e dokumentare të autorëve të ndryshëm shpjegon kontekstin kohor historik të kësaj lloj veprimtarie. Autori thotë: Ulqini është djali (fëmja) i detit. Dhe në Ulqin gjithmonë vlente rregulli i ashpër detar Të jetosh nuk është e domosdoshme, e domosdoshme është të lundrosh (Navigare necesse est, vivere non est necesse).

Përmes këtij libri autori prek dhe hedh dritë në një periudhë të errët historike. Canka flet dhe argumenton një periudhë prej dy shekujsh të veprimtarisë detare të ulqinakëve. Gjatë kësaj periudhe njohim ngritjet dhe rëniet e detarisë si veprimtari jetësore të ulqinakëve. Gjithashtu lidhjet mes detarëve ulqinakë dhe të tjerëve ishin të mëdha. Duke qenë pjesë e Perandorisë Osmane për tre shekuj, në këtë periudhë padyshim se lidhjet më të mëdha ishin me portet e kësaj Perandorie që ndodheshin në brigjet e Magrebit, Levantit dhe gjithë Mesdheut. Tregtia zhvillohej si me Stambollin, Aleksandrinë, Tripolin e Kajron ashtu edhe me Venedikun, Dubrovnikun e Gjenoven por hiç më pak as edhe me Vlorën e Durrësin. Konkurrenca në detë të hapur ishte e madhe por detarët ulqinakë edhe pse nuk kanë ndjekur shkolla detare kanë ditë se si të përdornin harta dhe busulla. Suksesi i detarëve ulqinakë ishte i padiskutueshëm sepse kemi të bëjmë me një trashëgimi detare brez pas brezi, prej babait te djali dhe një përvoje të gjatë të lundrimit në detë. Nga përvoja e madhe që kishin detarët ulqinak dinin që motin ta parashikonin përmes ngjyrës së detit, drejtimit të erërave, aromës së algave, lëvizjeve të reve dhe dukshmërisë së maleve shqiptare. (fq.42)

Në vitin 1706 konsulli holandez në Durrës, Pulimen, porositi ndërtimin e anijeve në Ulqin të cilat pastaj i përdori për tregti me Ankonën (fq. 37)

Konsulli francez në Shkodër Jasen Ekar shkruan: “Emri Ulqinak respektohej në mbarë Turqinë. Sulltanët u kërkuan të jenë në flotën e tyre”. (Ijasent Hecquard, 1852-1860, fq.22)

Kurse zyrtari Venedikas Alvize Foskari në raportin e tij të viti 1710 ndër të tjera thotë: “Ulqinakët nuk janë si kusarët tjerë të zakonshëm të cilët zakonisht janë ushtri e varfanjakëve dhe barkthatëve, të cilët edhe kur humbasin fitojnë diçka. Këta (ulqinakët) janë të gjithë pasanik, të palëkundur dhe kështu në këto rrethana të favorshme ata vazhdojnë tregtinë pas vendosjes së paqes” (fq.43)

Canka përmes këtij libri na jep shumë informata të rëndësishme rreth rregullimit të brendshëm komandues të kusarëve ulqinakë. Pastaj na tregon llojin e anijeve që përdorin ose llojin e armatimit që mbanin. Taktikën që përdornin për kapjen e anijeve armike por edhe më në fund ndarjen e pasurisë apo mallit të zënë.

Po sjell dy momente nga libri:

  1. “Parimi i ndarjes së plaçkës: njerëzit i takonin kapedanit, kurse malli detarëve – pjesëmarrësve në sulm… E gjithë plaçka shkruhet në regjistër dhe kushdo që mundohet të fshehë diçka dënohet rëndë” dhe
  2. “Çdo kusar ulqinak mbante një vath ari. Nëse kusari vritej gjatë përleshjes ose vdiste diku larg Ulqinit, përmes vathit i siguronte vetes një varrim dinjitoz sepse ai që e varroste merrte vathin si kundërshpërblim.”

Periudha kohore dhe veprimtaria detare që trajtohet në këtë libër përafron lexuesin se me këtë veprimtari janë marrë të gjithë detarët e të gjitha vendeve të Mesdheut. Autori me korrektësi përmend sikurse tregjet e robërve që gjendeshin në Perandorinë Osmane, më i madhi në Algjer kurse në bregdetin e Adriatikut në Vlorë ashtu edhe tregjet e robërve të kontrolluara nga Venediku e veçanërisht ato në Dalmaci konkretisht në Bokë. Një prej  rasteve të tregtisë me rob që autori përmend është ajo e vitit 1658, kur guvernatori i përgjithshëm Pietro Valieri shkruan në raportin e tij se 520 burra, 98 gra dhe 46 fëmijë, gjithsejt 664 robër, ish-shtetas osman presin të shiten. Ose fakti se edhe në Herceg Novi, Tivar por edhe në Ulqin si porte Osmane është bërë shitja dhe blerja e robërve.

Libri në vete ka edhe shumë fakte të dokumentuara për aventurat detare e kusare të ulqinakëve si detarë të pabindur ndaj fermaneve urdhëruese të sulltanit ashtu edhe të kërcënimeve të Venedikut. Lexuesi përmes 168 faqeve të këtij libri do të lundrojë prej deti në detë dhe prej aventure në aventurë. Do mësojë për trimëritë, fitoret dhe humbjet e detarëve ulqinakë. Do gjejë emra të dëgjuar dhe të padëgjuara të kusarëve dhe detarëve ulqinakë si dhe dëshmi për bëmat e tyre të mira dhe të këqia. Në fund të librit, autori jep edhe një fjalor të vogël shpjegues të disa fjalëve pak të njohura detare dhe të kohës. Përfundimisht këtë libër ia rekomandoj çdokujt që ta ketë në bibliotekën familjare e veçanërisht ulqinakëve. Por, me kusht që së pari ta lexojnë.


Këtë tekst e kam botuar në Kohën javore nr. 1113, 20.06.2024.